Secondary Adv

365 mln euro për Milot - Balldre, pritet shpallja e fituesit të koncesionit

Procesi për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë aksin rrugor Milot–Balldre po shkon drejt përfundimit, ndërsa në ditët në vijim pritet të shpallet fituesi i kontratës koncesionare për një nga segmentet më të rëndësishme të korridorit Adriatiko–Jonian.

Tre oferta në garë, pa ankesa në tender

Pas mbylljes së garës koncesionare në muajin tetor, ku morën pjesë tre oferta dhe nuk u paraqit asnjë ankesë, autoritetet kanë vijuar me shqyrtimin e dokumentacionit teknik dhe financiar, proces që tashmë ndodhet në fazën finale.

 

Shpallja e fituesit do t’i hapë rrugë nënshkrimit të kontratës dhe nisjes së punimeve për ndërtimin e aksit, i cili konsiderohet një nyje kyçe për lidhjen veriore të vendit dhe integrimin me rrjetin rajonal të transportit.

 

Projekt me vlerë 365 milionë euro

Sipas të dhënave zyrtare, projekti ka një vlerë të parashikuar prej rreth 365 milionë euro pa TVSH, ndërsa kontrata koncesionare do të ketë një afat 35-vjeçar, duke përfshirë ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit.

 

Aksi Milot–Balldre do të ketë një gjatësi prej rreth 17 kilometrash dhe do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, duke zëvendësuar segmentin aktual të kategorisë C.

 

Rruga nis nga nyja e Milotit, ku lidhet me akset Milot–Thumanë–Kashar–Lekaj dhe Rrugën e Kombit, për të përfunduar në Balldre, në lidhje me aksin Tiranë–Shkodër.

 

Punimet pritet të zgjasin 30 muaj

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, punimet synohet të nisin brenda këtij viti, ndërsa ndërtimi i segmentit pritet të zgjasë rreth 30 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës.

 

Ky projekt është pjesë e korridorit Adriatiko–Jonian, i identifikuar si segment i rëndësishëm i rrjetit TEN-T Mesdhetar të Bashkimit Europian, me rol strategjik në lidhjen infrastrukturore të Ballkanit Perëndimor me rrjetin europian të transportit.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat